×

الأنعام

Ajeti 60

Tefsiri i Saadiut

وَهُوَ ٱلَّذِى يَتَوَفَّىٰكُم بِٱلَّيْلِ وَيَعْلَمُ مَا جَرَحْتُم بِٱلنَّهَارِ ثُمَّ يَبْعَثُكُمْ فِيهِ لِيُقْضَىٰٓ أَجَلٌ مُّسَمًّى ۖ ثُمَّ إِلَيْهِ مَرْجِعُكُمْ ثُمَّ يُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ ﴿٦٠﴾

Është Ai që jua merr shpirtrat natën(në gjumë)dhe që e di mirë atë që keni bërë ditën. Më pas, Ai jua kthen ato, për të vazhduar(jetën) deri në afatin e caktuar. -Ky është një pohim e përforcim i njëshmërisë së Zotit në meritën e adhurimit dhe një argument shumë i fortë kundër idhujtarëve. Ajeti tregon se Allahu i Madhëruar i meriton të plota dashurinë, madhërimin, lartësimin dhe respektin. Allahu i Madhëruar është i vetmi që rregullon çështjet e krijesave dhe përkujdeset për to, kur ato janë zgjuar dhe kur janë në gjumë. Ai ua ngre shpirtrat, kur ato janë në gjumë dhe qetësohen. Lëvizjet e tyre reduktohen, që trupi t’u çlodhet. Pastaj Ai i zgjon nga gjumi, që të punojnë për arritjen e mirësive të dynjasë dhe të fesë. Allahu i Lartësuar di për gjithçka që krijesat e Tij bëjnë. Kështu vazhdon jeta e tyre, nën kujdesin e Allahut të Madhëruar, derisa të plotësojnë afatin e jetës, që Ai ka caktuar për ta. Kur koha e caktuar nga Ai përfundon, ky është çasti i vdekjes së tyre. Më pas, ata i pret afati tjetër, ai i Ditës së Ringjalljes, prandaj i Lartësuari thotë:Në fund, tek Ai do të ktheheni, dhe do t’ju tregojë të vërtetën e asaj që keni bërë. -Pasi të vdisni, vetëm tek Allahu është kthimi i të gjithëve, tek askush tjetër, dhe Ai do t’ju shpërblejë për ato që keni bërë, mirë apo keq.