×

هود

Ajeti 112

Tefsiri i Saadiut

فَٱسْتَقِمْ كَمَآ أُمِرْتَ وَمَن تَابَ مَعَكَ وَلَا تَطْغَوْا۟ ۚ إِنَّهُۥ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ ﴿١١٢﴾

Prandaj qëndroni të patundur (në rrugën e drejtë), ashtu siç jeni urdhëruar - ti dhe ata që janë penduar(e kanë besuar)së bashku me ty dhe mos i kaloni kufijtë! -Allahu i Lartësuar urdhëron për “el istikâme”, domethënë për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë. Por kjo nuk mund të bëhet sipas orekseve dhe dëshirave të secilit, prandaj shoqërohet me një tjetër porosi të rëndësishme: “... ashtu siç je urdhëruar”. Kështu, besimtarët urdhërohen që të përqëndrohen në rrugën e Allahut të Madhëruar dhe në zbatimin e ligjit të Tij, me mënyrën që Ai e ka caktuar. Ata duhet të besojnë gjithçka që vjen e sigurt nga Allahu i Lartësuar. Ata urdhërohen që kurrsesi të mos devijojnë nga feja dhe ligji që u ka zbritur Allahu i Lartësuar. Besimtarët urdhërohen që të jenë të vazhdueshëm në këtë rrugë të drejtë dhe të mos devijojnë as majtas, as djathtas. Gjithçka është e përcaktuar, prandaj ata nuk duhet të kalojnë caqet në asnjë drejtim, qoftë në besim, qoftë në zbatimin e ligjeve. Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton besimtarët për një fakt shumë të rëndësishëm, duke thënë:Ai sheh gjithçka që bëni ju. -Allahut nuk i fshihet asnjë vepër e tyre dhe Ai ka për t’i shpërblyer për to. Sigurisht, ky është një inkurajim i fortë për të qenë i vendosur në fenë e drejtë të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai shërben edhe si një kërcënim dhe qortim i ashpër për këdo që humbet këtë qëndrueshmëri. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë kërcënim, duke thënë: